Warning: session_start(): Cannot send session cookie - headers already sent by (output started at /home/altincek/public_html/index.php:3) in /home/altincek/public_html/index.php on line 4

Warning: session_start(): Cannot send session cache limiter - headers already sent (output started at /home/altincek/public_html/index.php:3) in /home/altincek/public_html/index.php on line 4
Dr.Altin Cekodhima

Kanceri i Ezofagut

Çfarë është ezofagu?

Ezofagu ndodhet në kraharor. Është i gjatë rreth 25 cm. Ai është pjesë e traktit tretës, ku ushqimi lëviz prej gojës në ezofag në drejtim të stomakut. Ezofagu është një tub muskulor.

Muret e ezofagut kanë disa shtresa:
• Shtresa e brendshme e cila është e lagësht, bën të mundur që ushqimet të rrëshqasin për në stomak.
• Submukoza. Qendrat në këtë shtresë prodhojnë mukus i cili e bën ezofagun të jetë i lagësht.
• Shtresa muskulare. Muskujt shtyjnë ushqimin poshtë për në stomak.
• Shtresa e jashtme e cila mbështjell ezofagun.

Fakte për kancerin e ezofagut

• Ndonëse shkaqet e kancerit të ezofagut janë të panjohura, faktorët e riskut janë të identifikuar mirë.
• Risku i kancerit të ezofagut rritet me kohëzgjatjen e irritimit të tij si për shembull prej duhanit, alkoolit dhe ezofagut Barret.
• Diagnoza e kancerit të ezofagut mund të përcaktohet me anë të skopisë së ezofagut me kontrast bariumi por mund të konfirmohet me endoskopi+biopsi e marrë në indet e kancerit.
• Kanceri i ezofagut mund të shkaktojë dhimbje dhe vështirësi në gëlltitjen e ushqimeve të forta, jo të lëngshme.
• Trajtimi i kancerit të ezofagut varet nga përmasa, lokalizimi dhe shtrirja e tij gjithashtu edhe nga mosha e pacientit.

Qelizat e kancerit

Kanceri fillon në qeliza të cilat janë njësia bazë e indeve. Indet përbëjnë organet e trupit.

Qelizat normale rriten dhe ndahen për të formuar qeliza të reja në varësi të nevojave të trupit tonë. Kur qelizat normale plaken ose dëmtohen ato vdesin duke u zëvendësuar nga qeliza të reja.

Ndonjëherë ky proces zëvendësimi nuk ndodh siç duhet. Formohen qeliza të reja për të cilat trupi nuk ka nevojë dhe qelizat e dëmtuara nuk vdesin. Grumbullimi i qelizave ekstra shpesh herë formojnë rritje ose masë indi e cila quhet tumor.
Rritjet në murin e ezofagut mund të jenë beninje (jo kanceroze), ose malinje (kanceroze).

Rritjet (tumoret) beninje:

o Rrallë janë kërcënuese per jetën. Ato mund të hiqen dhe probabilisht nuk rriten prapë.
o Nuk prekin indet përreth.
o Nuk përhapen në pjesët e tjera të trupit.

• Rritjet(tumoret) malinje;

o Mund të jenë kërcënuese për jeten.
o Mund të hiqen dhe të rriten përsëri.
o Mund të prekin dhe dëmtojnë indet dhe organet përreth.
o Mund të përhapen në pjesët e tjera të trupit.

Kanceri i ezofagut fillon në qelizat e shtresës së brendshme të ezofagut. Me kalimin e kohës, ai shtrihet më në thellësi të shtresave të ezofagut dhe indeve afër tij. Qelizat kanceroze mund të shpërndahen duke u shkëputur nga tumori i origjinës. Ato mund të hyjnë në enët e gjakut ose në enët limfatike duke u shpërndarë në të gjitha indet e trupit.

Qelizat kanceroze mund të vendosen në inde të ndryshme duke krijuar tumore dhe duke shkatuar shkatërrimin e këtyre indeve. Procesi i shpërndarjes së qelizave kanceroze quhet metastazim.

Tipet e kancerit të ezofagut

Kemi dy tipe kanceri të ezofagut të cilët janë të diagnostikueshëm, të trajtueshëm dhe që menaxhohen në të njëjtën mënyrë.

Dy tipet më të shpeshta të kancerit të ezofagut e marrin emrin nga lloji i qelizave që shihen me mikroskop. Që të dy tipet fillojnë në qelizat e shtresës së brendshme të ezofagut.

Adenokarcinoma e ezofagut:Ky tip zakonisht gjendet në pjesën e poshtme të ezofagut në afërsi të stomakut.
Carcinoma me qeliza skuamoze e ezofagut: Ky tip zakonisht gjendet në pjesën e sipërme të ezofagut.

Faktorët e riskut

Kur diagnostikoheni me kancer të ezofagut është e natyrshme të pyesni se cilat janë shkaqet që e kanë shkatuar. Shpesh doktorët e kanë të veshtirë t’ju shpjegojnë arsyet por studimet kanë treguar se shkaqet janë si më poshtë:

• Mosha 65 vjeç e lartë: Mosha është faktor risku kryesor. Shancet për të patur kancer të ezofagut rriten me rritjen e moshës.

• Gjinia: Meshkujt kanë më shumë gjasa për kancer të ezofagut në krahasim me femrat.

• Pirja e duhanit: Duhanpirësit janë më të riskuar për tu sëmurur nga kanceri i ezofagut.

• Përdorimi i tepërt i alkoolit: Njerëzit që konsumojnë më shumë se tre gota alkool në ditë janë më të rrezikuar ndaj kancerit të ezofagut të tipit me qeliza skuamoze sesa njerëzit që nuk konsumojnë alkool. Njerëzit që zakonisht përdorin në të njëjtën kohë alkoolin dhe duhanin janë më shumë të riskuar ndaj kancerit të ezofagut.

• Dieta: Studimet sugjerojnë që dieta e varfër në fruta dhe perime mund të rrisë riskun e kancerit. Megjithatë, ka kontradikta për këtë fakt dhe janë duke e u berë studime për të parë se si ndikon dieta si faktor risku në krijimin e kancerit te ezofagut.

• Obeziteti: Të qënit obez rrit riskun për adenokarcinomë të ezofagut.

• Refluksi gastro-ezofageal: Refluksi është fenomen anormal, i shpeshtë, ku lëngjet acide të stomakut kthehen në ezofag. Lëngjet acide të stomakut mund të dëmtojnë indet e ezofagut. Pas shumë vitesh refluksi, dëmtimet e indeve në disa njerëz mund të çojnë në adenokarcinomë të ezofagut.

• Ezofagu Barret: Dëmtimet që ndodhin prej refluksit të zgjatur quhet ezofagu Barret. Në këtë situatë qelizat në pjesën e poshtme të ezofagut janë anormale.

• Ezofagu Barret rrit riskun për kancer dhe është më i rrezikshëm se relfuksi.

Shenjat:

Në fazat e hershme kanceri i ezofagut mund të mos ketë shenja. Me avancimin e situatës shenjat më të shpeshta janë:

• Kthim i ushqimeve që vjen si rezultat i ngecjes së tyre në ezofag;
• Dhimbje gjatë gëlltitjes;
• Dhimbje në kraharor ose në mes të shpinës;
• Humbje në peshë;
• Djegie kraharori;
• Ngjirje zëri që nuk largohet për dy javë.

Këto shenja mund të jenë prej kancerit të ezofagut ose prej problemeve të tjera shëndetësore.

Diagnoza

Në qoftë se keni simptoma që tregojnë për kancer të ezofagut, atëherë doktori do t'ju rekomandojë të kryeni analiza gjaku dhe ekzaminime si më poshtë:

Skopi ezofagu me kontrast bariumi: Pasi të keni pirë kontrastin me barium merren imazhe nën rrezet X.

Endoskopia: Është një ekzaminim ku mjeku specialist shikon në brendësi të traktit të sipërm tretës. Me anë të kësaj procedure ekzaminohet: ezofagu, stomaku dhe duodeni (zorra 12-gishtore). Kjo procedurë kryhet me anë të një aparati që quhet gastroskop.

Biopsia: Zakonisht, kanceri fillon në shtresën e brendshme të ezofagut. Doktori kryen endoskopinë për të marrë pjesëza të vogla mostre prej ezofagut të cilat pasi ngjyrosen me ngjyrues të veçantë shihen në mikroskop prej anatomopatologut. Biopsia është e vetmja mënyrë e sigurtë për të na treguar praninë ose jo të kancerit.

Stadifikimi

Në qoftë se biopsia tregon që ju keni kancer, doktorit i duhet të mësojë përhapjen e tij (stadin), që e ndihmon në zgjedhjen e trajtimit më të mirë.

• Se sa në thellësi të mureve të ezofagut ka prekur kanceri.
• Nëse kanceri ka prekur indet përreth.
• Nëse kanceri është përhapur në organe të tjera dhe se cilin ka prekur saktësisht.

Kur kanceri i ezofagut përhapet, zakonisht gjenden limfonodula përreth. Në qoftë se kanceri ka prekur këto limfonodula, ai mund të përhapet në kocka dhe organe te tjera. Shpesh ai mund të përhapet dhe në mëlçi e mushkëri. Për të bërë stadifikimin nevojiten ekzaminime të tjera shtesë si më poshtë:

Eko endoskopike(EUS): Ky ekzaminim kryhet njësoj si gastroskopia, nën anestezi. Në majën e këtij skopi ndodhet një sondë e veçantë e cila përdor ultratingujt për të krijuar imazhe. Imazhet që merren tregojnë se sa thellë ka prekur kanceri muret e ezofagut. Doktori gjithashtu mund të përdorë një shiringë të veçantë për të marrë material prej limfonodulave. Kjo procedurë quhet aspirim me age (FNA).

Skaner CT (tomografi e kompjuterizuar): Makina e rrezeve X është e lidhur me kompjuterin dhe në këtë mënyrë krijohen imazhe të detajuara të pankreaist, organeve dhe vazave të gjakut të barkut. Për të kryer këtë ekzaminim përdoret kontrast nga goja ose në venë, i cili bën të dukshme anomalitë.

Rezonanca magnetike: Një magnet i fuqishëm i lidhur me komjuterin përdoret për të marrë imazhe të detajuara në hapësirat brenda trupit. Rezonanca tregon nëse kanceri është përhapur nëpër limfonodula ose në vende të tjera të trupit. Për të kryer këtë ekzaminim përdoret kontrast venoz i cili bën të mundur marrjen e imazheve në mënyrë më të qartë.

Pet-skaner: Nëpëmjet një injeksioni, injektohet një sasi sheqeri radioaktiv. Sheqeri radioaktiv jep sinjal dhe në këtë moment pet-skaneri kap imazhet në vendet që është përhapur sheqeri radioaktiv. Qelizat kanceroze shfaqen të shndritshme në imazhe sepse ato e perthithin më shpejt dhe më shumë sheqerin radioaktiv në krahasim me qelizat normale. Pet-skaneri tregon nëse kanceri i ezofagut është perhapur në pjesë të tjera të trupit.

Skaner i kockave. Injektohet një sasi e vogël substace radioaktive e cila nëpërmjet qarkullimit të gjakut depozitohet në kocka. Pastaj, nëpërmjet skanerit merren imazhe prej tyre. Imazhet mund të tregojnë nëse kanceri është përhapur në kocka.

Laparoskopi: Pasi ju është administruar anestezi gjenerale, kirugu bën dy incizione (prerje) të vogla në bark nëpërmjet të cilave futet një sondë të hollë të ndriçuar brenda barkut. Nëpërmjet kësaj procedure hiqen limfonodulat për tu ekzaminuar për prani apo jo të qelizave kanceroze. Ndonjëherë stadifikimi nuk është i plotë deri pas kryerjes së operacionit dhe heqjes së masës dhe limfonodulave përreth. Kur kanceri përhapet në një organ tjetër të trupit, tumori i ri ka të njëjtat qelizat anormale kanceroze me tumorin primar.

Stadet e kancerit të ezofagut:

Stadi 0: Qeliza anormale gjenden vetëm në pjesën e brendshme të ezofagut. Ato quhen carcinoma in situ.

Stadi I: Kanceri ështe rritur dhe nga shtresa e brendshme e ezofagut ka depërtuar në submukozë (një shtresë më thellë)

Stadi II: quhet ne keto dy situata;
o Kanceri ka depërtuar nga shtresa e brendshme e ezofagut, ka prekur submukozën dhe ka prekur gjithashtu limfonodulat përreth, ose
o kanceri ka prekur shtresën muskulare dhe qelizat kanceroze gjenden dhe në limfonodulat përreth.

Stadi III: zhvillohet në këto situata:
o Kanceri është rritur në shtresën e jashmte të mukozës së ezofagut dhe qelizat kanceroze janë të pranishme në limfonodulat përreth, ose
o kanceri ka prekur dhe strukturat afër (si p.sh. rrugët e frymëmarrjes). Qelizat kanceroze janë të pranishme gjithashtu edhe në limfonodulat përreth.

Stadi IV: kanceri është përhapur në organet e largëta si p.sh. në mëlçi

Trajtimi

Personat me kancer të ezofagut kanë opsione të shumta trajtimi të cilat janë: kirurgjia, radioterapia (terapia me rrezatim), kimioterapia ose kombini i tyre. Radioterapia ose kimioterapia mund të jepet para ose pas kirurgjisë.
Lloji i trajtimit të duhur varet nga:

• Lokalizimit të kancerit brenda në ezofag;
• Nëse kanceri ka prekur strukturat përreth;
•Nëse kanceri është përhapur në limfonodula apo organe të tjera;
• Në varësi të simptomave (shenjave);
• Në varësi të gjendjes së pergjithshme shëndetësore.

Kanceri i ezofagut është i vështirë të mbahet nën kontroll me trajtimet momentale. Ju mund të keni ekipin tuaj mjekësor për t’ju hartuar planin e kujdesit. Mund të keni nevojë të takoni gastroenterologun i cili merret me problemet e traktit tretës. Specialistë të tjerë që mund të keni nevojë të takoni janë: kirurgu torakal, kirurg torakal onkolog, mjek onkolog dhe mjekun onkolog radioterapist.

Përpara se të filloni trajtimin duhet të jeni të qartë për rezultatet që do të japë trajtimi dhe për efektet anësore të tij, sepse trajtimi i kancerit shpesh dëmton qelizat dhe indet e shëndetshme. Është e pritshme që të ndryshojë aktiviteti juaj normal i përditshëm.

Për të qenë më të qartë rreth trajtimit dhe efekteve të tij këto janë disa pyetje që mund t'ia drejtoni doktorit tuaj:

• Çfarë është stadifikimi i sëmundjes?
• A është përhapur kanceri?
• Është prekur ndonjë nga limfonodulat?
• Cili është qëllimi i trajtimit?
• Cilat janë opsionet e trajtimit për mua dhe cilin më rekomandoni ju, dhe pse?
• Do bëj më shumë se një lloj trajtimi?
• Çfarë mund të bëj që të përgatitem për trajtimin?
• A kam nevojë të qëndroj në spital për trajtimin? Nëse po, për sa kohë?
• Cilat janë risqet, shanset dhe efektet anësore të trajtimit? A mund do të kem probleme me ushqimin pas trajtimit?
• Si mund të menaxhohen efektet anësore?
• Sa do të kushtoje trajtimi?
• Mund të më rekomandoni një doktor tjetër për të marrë një mendim të dytë?
• Sa shpesh duhet të bëj rikontrolle?

Kirurgjia

Ka disa lloje kirurgjish për kancerin e ezofagut, dhe kjo është në varësi të lokalizmit të kancerit. Kirurgu mund të heqë krejt ezofagun ose një pjesë të tij. Zakonisht kirurgu heq një pjesë të ezofagut ku është lokalizuar formacioni, limfonodulat dhe indet përreth.

Mund të hiqet dhe një pjesë e stomakut. Gjatë kirurgjisë, kirurgu mund të vendosë një sondë ushqimi në zorrën e hollë e cila do t’ju ndihmojë shumë për ushqyerjen.

Ditët e para mbas operacionit mund të keni dhimbje, prandaj për këtë arsye doktori mund t'ju jap mjekim kundër tyre.

Komplikacionet e pritshme mbas operacionit janë:
- Pneumonia ose infeksione të tjera;
- Probleme me frymëmarrjen;
- Hemorragji.

Periudha e rikuperimit mbas operacionit është individuale dhe në varësi të llojit të kirurgjisë së kryer.

Radioterapia

Radioterapia përdor rreze me enegji të lartë për të vrarë qelizat kanceroze. Ajo prek vetëm qelizat e zonës ku aplikohet. Radioterapia mund të përdoret para dhe mbas operacionit, ose mund të përdoret në vend të operacionit.

Doktori mund të përdorë dy lloje rrezatimi për kancerin e ezofagut dhe zakonisht tek pacientët aplikohen të dyja:

• Radioterapia e jashtme (eksternale), e cila aplikohet jashtë trupit.
• Radioterapia e brendshme; Për këtë lloj radioterapie doktori mund tju bëj një injeksion në venë për tu relaksuar nga reflekset dhe pasi tju ketë mpirë fytin me spray "ksiolocaine", fut një tub në ezofagun tuaj.
Nëpërmjet këtij tubi bëhet rrezatimi. Efektet anësore të këtij lloj trajtimi varen nga sasia e rrezatimit që përdoret.

Radioterapia e jashtme në kraharor dhe në bark mund të shkaktojë:

- Dhimbje fyti;
- Djegie kraharori;
- Dhimbje në stomak ose në zorrë;
- Pacienti mund të ketë të vjella ose diarre;
- Gjithashtu zona e lëkurës ku aplikohet rrezatimi skuqet, thahet dhe rrudhet;
- Mund të keni dhe humbje të qimeve në zonën e aplikimit.

Pritet që për shkak të radioterapisë, gjatë saj dhe disa javë pas saj të ndiheni të lodhur. Pushimi është i rëndësishëm, por doktori zakonisht rekomandon që të jeni sa më shumë aktivë që të mundeni. Një tjetër efekt anësor i radioterapisë është dhimbja gjatë gëlltitjes.

Për shkak se radioterapia mund të shkaktojë edhe ngushtim të ezofagut, përpara fillimit të saj vendoset një tub në ezofag për ta mbajtur atë hapur.

Kimioterapia

Shumica e pacientëve me kancer të ezofagut bëjnë kimioterapi si pjesë të trajtimit. Kimioterapia përdor preparate që vrasin qelizat kanceroze. Ato jepen nëpërmjet venave. Ky trajtim mund të bëhet në spital ose në shtëpi. Zakonisht kimioterapia jepet me cikle. Cdo cikël jepet me periudha pushimi ndërmjet tyre. Efektet anësore të kimioterapisë janë në varësi të dozave të përdorura. Kimiopreparatet vrasin qelizat kancerogjene por në të njëjtën kohë dëmtojnë edhe qelizat normale të trupit.

Disa efekte anësore të kimioterapisë sipas dëmtimit të llojit të qelizave janë:

Qelizat e gjakut: Kur kimioeterapia ul nivelin e qelizave të shëndosha të gjakut, pacientët fillojnë të ndihen të lodhur, të dobët fizikisht, formojnë rrathë të zinj poshtë syve, krijojnë gjakderdhje të lehtë dhe janë të riskuar ndaj çdo infeksioni. Në qoftë se kimioterapia ul ndjeshëm numrin e qelizave të gjakut, atëherë ajo ndërpritet për një periudhë dhe ndryshohen dozat e saj. Gjithashtu mjeku mund të japë ilaçe që ndihmojnë trupin të prodhojë qeliza të reja gjaku.
Qelizat e rrënjëve të flokut: Kimioterapia mund të shkaktojë rënie të flokut. Pas mbarimit të kimioterapisë flokët mund të rriten përsëri, por ato rriten më të dobët dhe ndryshojnë ngjyrë.
Qelizat e mukozës së traktit tretës: Për shkak të dëmtimit të këtyre qelizave nga kimioterapia, pacienti mund të ketë: humbje oreksi, nauzea, të vjella, diarre, buzë dhe gojë të thatë. Efekte të tjera anësore të mundshme përfshijnë: njolla të kuqe në lëkurë, dhimbje kyçesh, ndjenjë shpimi ose mpirje të duarve dhe këmbëve, problem me dëgjimin, fryrje këmbësh. Shumë prej këtyre problemeve largohen me mbarimin e kimioterapisë.

Kujdesi perkrahes.(Supportive Care)

Kanceri i ezofagut dhe trajtimi i tij mund të çojnë në probleme të tjera shendetësore. Mund të kërkoni kujdes përkrahës përpara, gjatë dhe pas trajtimit të kancerit. Kujdesi përkrahës është trajtimi që kontrollon dhimbjen dhe problemet e tjera për të lehtësuar efektet anësore dhe për t'ju ndihmuar që të përballeni me ndjenjat që sjell një diagnozë e tillë. Qëllimi tjetër kryesor i këtij kujdesi është që të parandalojë dhe kontrollojë problemet për përmirësimin e mirëqënies dhe cilësisë së jetës suaj gjatë trajtmit të kancerit.

Kur kanceri bllokon ezofagun

Ju mund të keni probleme me gëlltitjen për shkak të bllokimit të ezofagut nga kanceri. Paaftësia për tu gëlltitur e bën të vështirë ose të pa mundur ushqyerjen dhe gjithashtu rrit riskun e kalimit të ushqimeve në rrugët e frymëmarrjes. Ky problem mund të çojë në infeksion të mushkërive, pneumoni. Paaftësia për të gëlltiur ushqimet e lëngëta dhe pështymën mund të krijojë një situatë shumë të vështirë dhe stresuese.

Për këtë arsye, stafi mjekësor mund t'ju rekomandojë një nga zgjidhjet e mëposhtme:

Vendosja e një stenti: Pasi ju bëhet një injeksion për tu relaksuar, doktori vendos një stent (tub i përbërë nga një rrjet metali ose plastike) në ezofagun tuaj. Ushqimet dhe lëngjet do të kalojnë nëpërmjet këtij tubi. Gjithsesi ushqimet e forta duhet të përtypen mirë para se të gelltiten. Gëlltitja e një mase të madhe ushqimi mund të shkaktojë bllokim të stentit.

Terapia me lazer: Përdor rreze të forta që vret indet në nxehtësi. Kjo procedurë mund të përdoret për të shkatërruar masën kanceroze bllokuese të ezofagut. Terapia me lazer siguron përmirësim të gelltitjes për një kohë të shkurtër, por pas disa javësh mund të lindë nevoja për ta përsëritur.
Terapia fotodinamike: Ju bëhet një injeksion dhe ilaçi i injektuar grumbullohet në qelizat kanceroze të ezofagut. Dy ditë pas injektimit doktori përdor në pjesën kanceroze një endoskop me një dritë të veçantë (si p.sh. lazer). Ilaçi aktivizohet pasi ekspozohet në këtë dritë. Dy-tre ditë më pas doktori shikon nëse qelizat kanceroze janë shkatërruar. Njerëzit që bëjnë këtë lloj trajtimi duhet të shmangin dritën e diellit për një muaj ose më shumë, Gjithashtu ata mund të kenë nevojë ta përsërisin trajtimin pas disa javësh.
Radioterapia: Ndihmon në tkurrjen e tumorit. Nëse tumori bllokon ezofagun, radioterapia e brendshme ose ndonjëherë dhe e jashtmja ndihmojnë në lehtësimin e gëlltitjes.
Dilatacioni(zgjerimi) me balon: Doktori fut një balon në pjesën e bllokuar të ezofagut. Baloni ndihmon në zgjerimin e hapjes. Kjo metodë ndihmon në përmirësimin e gëlltitjes për disa ditë. Ushqyerja është e rëndësishme pasi përmbush nevojat tuaja ushqimore para, gjatë dhe pas trajtimit të kancerit. Ju keni nevojë për sasinë e duhur të kalorive, proteinave, vitaminave dhe mineraleve.

Ushqyerja

Ushqyerja në mënyrën e duhur do t'ju ndihmojë të ndiheni mirë dhe të keni shumë energji. Megjithatë, kur keni kancer të ezofagut, ushqyerja mund të jetë e vështirë për shumë arsye. Mund të mos ndiheni mirë ose mund të ndiheni të lodhur dhe të mos keni deshirë të ushqeheni. Kanceri, gjithashtu, mund t'jua vështirësojë gëlltitjen. Në qoftë se jeni duke bërë kimioterapi mund të mos i shijoni ushqimet si më parë.

Mund të keni efekte anësore të mjekimit siç janë: humbje oreksi, nauzea, të vjella ose diarre. Në qoftë se keni problem me ushqyerjen, ka disa mënyra për të marrë nevojat tuaja ushqimore.

Dietolog mund t'ju ndihmojë të gjeni mënyrën për të marrë kaloritë si: proteinat, vitaminat dhe mineralet:

• Dietologu mund t'ju sugjerojë ndryshime të llojeve të ushqimeve, porcionin e tyre dhe ndryshime në oraret e vakteve.
• Dietologu mund t'ju rekomandojë ushqime të lëngshme si: pijet e konservuara, qumështin etj.
• Nëse gëlltitja vjen e vështirësohet, dietologu juaj mund t'ju rekomandojë ta merrni ushqimin nëpërmjet një tubi ushqyes (sondë nazogastrike).
• Ndonjëherë të ushqyerit bëhet direkt në gjak nëpërmjet një rruge venoze.

Ushqyerja pas operacionit.

Dietolog do t'ju ndihmojë të hartoni një dietë që përmbush nevojat tuaja ushqimore. Është shumë e rëndësishme që pas operacionit të keni një dietë të balancuar për të mos humbur në peshë. Qëllimi është që të merrni sasinë e duhur ushqimore pa ju shkaktuar diskomfort.

Në qoftë se gjatë operacionit ju është hequr dhe stomaku, mund të keni një problem i cili quhet "Sindroma Dumpin". Kjo sindromë ndodh kur ushqimi ose lëngjet hyjnë shumë shpejt në zorrën e hollë duke shkatuar dhimbje të forta në formë krampesh, nauzea, fryrje, diarre dhe marrjamendje.

Për të shmangur këtë sindromë duhet të:

• Konsumoni vakte me porcione të vogla;
• Pini ujë para dhe pas konsumimit të ushqimeve të forta;
• Limitoni ushqimet shumë të ëmbla siç janë: ëmbëlsirat, karamelet, lëngjet me gaz.
• Gjithashtu mund t'ju rekomandohen ilaçe për të mbajtur nën kontroll këtë sindromë.

Pas kirurgjisë mund të keni nevojë të merrni suplemente ditore vitaminash, mineralesh, kalçiumi dhe injeksione me vitaminën B12.

Ju lutem kini parasysh që ky informacion jepet si shtesë e këshillave të kujdesit nga mjeku juaj. Ky informacion nuk ka për qëllim dhe nuk nënkupton të shërbejë si zëvendësim i këshillave mjekësore profesionale. Telefononi menjëherë ofruesin e kujdesit shëndetësor nëse mendoni se keni urgjencë mjekësore! Kërkoni gjithmonë këshillat e mjekut tuaj ose të ndonjë ofruesi tjetër të kujdesit shëndetësor të kualifikuar përpara se të filloni një trajtim të ri apo nëse keni pyetje lidhur me ndonjë gjendje mjekësore!